Wednesday, May 21, 2014

Aktualitet: E përdhunuan gjatë luftës,- pështyn serbët në sallën e gjyqit

Ishte 14 vjeç kur paramilitarët serbë e dhunuan, sot në moshën 28 vjecare u përballë me autorët në gjyq në Beograd. Nuk i kurseu, i pështyu në sallën e gjyqit, citon agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.


Dëshmia është rrënthethëse. Paramiltarët serbë, kryesisht çetnikë, kishin rrethuar fshatrat e Pejës, morën fëmijët nga prehri i nënave dhe u shkuan thikën në fyt, prindërit i rrihnin deri në vdekje, vajzat e reja, i përdhunuan para syve të familjarëve të tyre.
Njësia paralimitare e Zoran Raskovic është përgjegjëse për masakrat brutale që ndodhën në Lubenic, Pavlan, Zahac dhe Qyshk të Pejës. Në procesin e filluar para dy vjetësh (28 Maj 2011), Rashkovici është duke dëshmuar në gjykatën speciale në Beograd një një rast të krimeve të luftës. Sipas kësaj aktakuze, trembëdhjetë anëtarë të njësisë paramilitare “Çakalla” kanë vrarë më shumë se 200 shqiptarë në vitin 1999.
Ajo është sot 28 vjec por nuk harron atë cfarë ndodhi 14 vjet më parë.
Qëkurse ka filluar gjykimi para 2 viteve, Rashkovici ka qenë nën mbrojtje konstante të policisë në Serbi për shkak s e ai ka vendosur të dëshmojë haptazi, pa e fshehur fytyrën.
Shqiptarja e dhonuar nga Kosova e cila kishte vetem 14 vjec (sot ajo ka 28) ka dëshmuar para Dhomës për Krime të Luftës në Beograd kundër dy serbëve Milojka Nikoliç dhe Sreçko Popoviç, pjesëtarë të njësive paraushtarake “Çakallët”. Në ditën e tretë e gjyqit për krime në fshatin Qyshk në vitin 1999, u mbajt në akuza të ndërsjella për dëshmitarit Zoran Raškoviæa dhe Ranka Momica, një nga të akuzuarit nga njësisë “Çakallët”.
Udhëheqës i ” Çakalli ” ishte Nebojsha Miniç , zyrtarisht i vdekur, i cili është një i arratisur i cili vdiq nga SIDA në Argjentinë.
Vajza e dhunuar dëshmoi duke treguar me gisht autorët. Madje i pështyu ne fytyrë në sallën e gjyqit.
Në fakt kanë kaluar 14 vjet nga lufta në Kosovë dhe nuk ka përfunduar një proces rreth përdhunimeve masive të femrave në Kosovë nga cetnikët serbë.
Sot nuk përbën krim vetëm kush dhunon, por dhe ata që mbrojnë heshtjen, ata që nuk kërkojnë ndëshkim. Bëhet fjalë për 20 mijë kosovare të dhunuara nga serbët.
Dhuna seksuale në zonat e konflikiti  përbën krim lufte, krime kundër njerëzimit dhe një akt themelor të gjenocidit, në bazë të Rezolutës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1820 të dhunës seksuale kundër civilëve në Konflikt .
( Marrë nga gazeta Ekspres - versioni on line)



Tuesday, May 20, 2014

Opinion . Përse mungonjnë gazetarët investigativë në Shqipëri...?!

Përse mungonjnë gazetarët investigativë në Shqipëri...?!

Roland Beqiraj


 Kjo ishte pak a shumë pyetja që i drejtoi moderatorja e TCH  Rudina Xhunga,kreut të një organizate mediatike për investigimin e krimit të organizuar Drew Sullivan... 
I ftuari i Xhungës u mundua të jepte një përgjigje për një realitet që nuk e njeh mirë, por ama pyetja e gazetares, për vetë gazetaren,  e ka të njohur arsyen e kësaj mungese.  
Kjo pyetje të kujton një barcoletë me Napoleon Banapartin, i cili kur hyri triumfator në një nga zonat e fituara, pyeti se përse nuk binte këmbana e fitores.  “ Janë nëntë arsye Madhëri, iu përgjigj adjutanti, e para nuk ka këmbane, e dyta... Menjëherë ia preu Bonaparti; nuk më duhen  arsyet e tjera...”. 
Kështu ndodhi edhe me pyetjen e R. Xhungës. Arsyeja e parë është se në vendin tonë mungon një media, qoftë gazetë e printuar apo on line, apo qoftë Tv i mirfilltë investigativ. Në të shumtën e rasteve has vetëm tek - tuk ndonjë emision periferik, apo ndonjë shkrim në gazeta, që nuk lëndon askënd përveç personit të prekur direkt. Kurse ata të propaganduarit emisione investigativë, janë qesharakë që vetëquhen investigativë ;  dhe ne të gjithë e dimë këtë, (pavarësisht se nuk thuhet, nuk do të thotë se nuk është), por jo vetëm kaq, ata u shërbejnë pronarëve të tyre për të bërë shantazhe apo për tu vendosur gjoba.
Pra, thënë shkurt, edhe nëse ke një gazetar investigativ, a mundet ta lejojë pronari i medies, i cili është i lidhur ngushtë me interesat e tij tek ata " të korruptuarit", që të nxjerrë në dritë fakte që  e fundosin? Natyrisht që jo.
Por njëkohësisht duhet pranuar se edhe tek vetë komuniteti i gazetarëve ka një lloj stepie. Arsyet janë të thjeshta, por thelbësore. E para ka të bëjë me sigurinë  e jetës. Ne jemi një vend shumë i vogël, ku njihesh me njëri - tjetrin dhe është e vështirë të depërtosh dhe je lehësisht i zbulueshëm. I gjendur para këtij realiteti, njëkohësisht mbetesh dhe pa mbrojtje. Kur ta shohësh veten vetëm përballë atyre njerëzve "të hurit dhe të litarit", ti dhe familja jote nuk do të kesh as mbrojtjen e shtetit dhe të strukturave të tij. Dhe ky gazetar mbetet në mëshirë të fatit ose të maskarenjve, pasi nuk ka as edhe një lek që tia mbathë dhe të fshihet për të siguruar jetën e tij dhe të familjes.
Nuk i di këto arsye zonja Xhunga që i kërkon përgjigje një të ftuari nga kontinenti tjeteër, i cili bën leksione të gazetarisë investigative me paratë e Sorosit?

Dossier. Zogu, hebrenjve: Ma ktheni fronin, 50 mijë familje të juaja do të kenë tokë në Shqipëri

Zogu, hebrenjve: Ma ktheni fronin, 50 mijë familje të juaja do të kenë tokë në Shqipëri



Në pamundësi për t’u kthyer në Shqipëri në rrugën që ai do të dëshironte, Mbreti Zog ka përdorur të gjitha mënyrat për të siguruar sërish fronin e Shqipërisë. Në fillim të vitit 1944, në një kohë kur lufta po kthehej gjithnjë në favor të aleatëve, Zogu nuk shikonte një perspektivë të qartë për mundësinë e kthimit në fronin e Shqipërisë. Lëvizja partizane në Shqipëri po fitonte terren, ndërsa qeveritë perëndimore aleate nuk po e njihnin atë si kreun e qeverisë provizore shqiptare. Në këto kushte, Zogu ka luajtur një kartë të veçantë, por që nuk rezultoi e suksesshme.
Në janar të vitit 1944, Mbreti Zog takohet me një grup prej tre ose katër personash, krerët e Shoqatës Anglo-Hebraike në Londër, të cilëve u propozon një plan konkret bashkëpunimi. Krerët e kësaj shoqate ishin njerëzit më me ndikim në lobin hebre në botë dhe në të përmenden dy emra tepër të njohur, si Montefiore dhe Robert Ualey Cohen. Plani i Zogut për lobin hebre ishte që nëse ata e rikthenin në fronin e Shqipërisë, atëherë Shqipëria mund të kthehej në vendstrehimin e tyre. Ky plan duket se ngjiti shumë te lobistët hebraikë, të cilët menjëherë këtë takim e raportuan në Ministrinë e Jashtme britanike, duke kërkuar që kjo ofertë të vlerësohej.
Kjo ofertë merrte një vlerë të veçantë për shkak të situatës në të cilën ndodheshin hebrenjtë. Shumica e tyre ndodheshin në kampet e përqendrimit dhe shoqatat hebraike në botë kishin marrë vendimin që hebrenjtë të largoheshin nga Evropa Perëndimore në veçanti dhe të krijonin një shtet të tyrin. Por, Palestina nuk ishte opsioni i parë, ndaj janë diskutuar shumë vende. Me sa duket, Mbreti Zog, i njohur me këto zhvillime dhe me faktin se hebrenjtë kërkojnë një shtet të tyre, u ofroi atyre mundësinë e strehimit në Shqipëri, derisa kjo çështje të merrte zgjidhje për ata.
Shoqata Anglo-Hebraike është e mendimit se vlerësimi i Zogut për një reagim të mundshëm për një projekt të tillë në Shqipëri vjen për shkak të besimit të tij të dukshëm në fuqinë e hebrenjve. Ata besojnë se ky informacion ia vlente të raportohej. Por, pavarësisht se në Ministrinë e Jashtme britanike nuk pati më asnjë lëvizje për këtë propozim, duket se shoqata e lobistëve hebrenj ka realizuar një plan të detajuar.
Sipas profesorit amerikan Bernd J. Fischer, Zogu ofroi sponsorizimin e një plani për një vendosje masive të hebrenjve në Shqipëri, që sipas Fischerit bëhej fjalë për rreth 50.000 familje për t’u dhënë tokë në pronësi të shtetit. Kjo do të realizohej gjithnjë dhe vetëm nëse hebrenjtë britanikë do e ndihmonin atë për të rimarrë fronin e tij.
Profesori amerikan e sheh këtë ofertë të Zogut në aspektin se ai ndodhej në një situatë të dëshpëruar sa i përket të ardhmes së tij politike, por, gjithsesi, Fischer e cilëson pa dyshim si një ofertë unike dhe ndoshta si një tregues të angazhimit të Zogut për diversitetin fetar.
Shoqata Anglo-Hebraike vijon ende sot të jetë një prej organizatave më të forta të lobit hebre ndërkombëtar, ndërsa në botën britanike ajo ende është shoqata me lobistët më të njohur.
E krijuar që më 1871, kjo organizatë ka për objekt të saj promovimin e progresit shoqëror, moral dhe intelektual midis hebrenjve, si dhe marrjen në mbrojtje të atyre që mund të vuajnë si pasojë e të qenit hebrenj.  / opozita .com/
Botim i gazëtes /Panorama/

Friday, May 16, 2014

Aktualitet : Trafik votash në qarkun e Korçës- e djathta humbet mazhorancën

Trafik votash në qarkun e Korçës-  e djathta humbet mazhorancën
Këshilltarët  e majtë zgjedhin kryetare  të  këtij Këshilli Irena Nikën

Roland Beqiraj


Trafiku ivotave perfshin edhe Qarkun e Korçes.  Dy kryetare komunash dhe dy keshilltarë të Partise Demokratike i bashkangjiten kualicionit te majte, duke  bere te mundur edhe humbejn e balancave ne Keshillin e Qarkut te Korçës. Kanë qenë  këshilltarët e kualicionit të mjatë PS- LSI ata që provokuan mbajtjen e një mbledhje jashtë radhe, të cilët  në rendin e ditës kishin vetëm shkarkimin e kryetarit aktual dhe  votimin e kryetarit të ri. Keshilltaret e djathte nuk ishin te pranishem ne mblkedhje,pasi siç eshe u konstatua, mbledhja ishte formale. Te 37  keshilltaret e majte te pranishem ne sallle ne menyre unanime votuan ndryshimin e drejtuesit te ketij keshilli Roland Gusho. 
Nje nder te larguarit,Afrim Beqiraj, kryetari i Komunes se Moglices, nje komune e vogel periferike, u shpreh se me vullnetin  e tij te plote kalon nga Partia Demokratike ne ate Socialiste. Nderkohe para fillimit te takimit, nenkryetari i parlamentit, njekohesisht edhe deputet i Partise Demokratike, Edmond Spaho, u shpreh se behet fjale per blerje te votave ngfa ana e PS.  
Trafiku i ketyre votave, i cili ne shoqerine politike shqiptare  cilesohet normal, ka brenda vetes shume anormalitet. Jo vetem per moral, pasi ne politiken shqiptare nuk ka mbetur fije e moralit, por per respekt te votuesve, nuk mund te behen keto levizje. Nje Kryetar Komune , apo cilido i zgjedhur drejtperdrejt, mund te trafikoje veten  e tij duke e shitur edhe blere tek cilido padron qe te doje, por nuk mund te trafikoje voten ne menyre kolektive. Ata qe te kane votuar jane njerez te lire dhe nuk mund te konsiderohen skllever, te cilet detyrimisht mund te shkonin pas padronit, duke u vrare masdje edhe per të. Keshtu po ndodh ne politiken tone, e cila nuk eshte as me afer dhe as me larg, por ne rendin shoqeror te paramesjetes.

Thursday, May 1, 2014

DOSSIER: Kur Sabiha Kasimati dhe Enver Hoxha pozonin për fotografin Sotir

Fotografitë e Sotirit janë bardh e zi, monokolor, sepia, të kuqe, të gjelbra etj. Kjo fototekë ka sot rreth 1500 fotografi origjinale, të stampuara nga negativat, që janë ruajtur falë përkushtimit të familjarëve në gjendje shumë të mirë
Këto foto janë shkëputur nga 14 mijë negativët që ka sot Fototeka ‘Sotir’ në Korçë, e cila fatmirësisht (të paktën në këtë rast) ka qenë jashtë vëmendjes së institucioneve shtetërore të Enver Hoxhës. Ndryshe nga Geg Marubi, fotografi korçar nuk ia “fali” arkivin e tij regjimit të Hoxhës, ky i fundit madje nuk shfaqi ndonjë interes të veçantë për të parë se çfarë fshihnin ata 14 mijë negativë (në xham dhe film). Prej vitesh këta negativë flenë në një tip musëndre, që ndodhet poshtë shkallares së shtëpisë së tij, ku sot jetojnë vajza e tij Ivon dhe familja e të birit, Gjergj Sotiri (i ndarë nga jeta pak vite më parë). Shtëpia e Sotirëve ndodhet pak metra pas Katedrales, mes rrugicave, që të gjitha me drejtim qendrën e qytetit.
Pas kaq vitesh, pasardhësit po zbulojnë pak nga pak koleksionin e rrallë të fotove që mbajnë firmën “Studio Sotir”. Studioja e dikurshme në formë ovale nuk është më, ekzistenca e saj dokumentohet vetëm nga një foto. Është shembur vite më parë e që prej asaj dite negativët ruhen në kushte shtëpie. Kohët kanë ndryshuar. Familjarët e fotografit kërkojnë sot vëmendjen e shtetit për ruajtjen dhe evidentimin e këtij fondi, që padyshim janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së fotografisë shqiptare.
Portrete të epokës, nga dishepulli i fundit i Nolit te Kasimati
Sikur ta dinte regjimi se në Studion “Sotir” kish qenë dhe i fundmi i dishepujve të Nolit, Andon Frashëri, apo vajza e bukur gjirokastrite Sabiha Kasimati, të dy të burgosur nga komunistët, nuk dihet se cili do kish qenë fati i kësaj fototeke.
Me rastin e përfundimit nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të inventarizimit të Fototekës private ‘Sotir’, në Muzeun e Arsimit ABC në Korçë u prezantua ekspozita fotografike “Kristaq Sotir, artisti i muzës shqiptare”.
Mes shumë fotove të ekspozuara (disa publikoheshin për herë të parë) tërhoqi vëmendjen fotoja e një vajze të hijshme, veshur me kostum popullor të zonës së Gjirokastrës. Fotoja mban vitin 1938. Siç mësuam, vajza që buzëqeshte në foto ishte nxënësja e Liceut Francez, Sabiha Kasimati. Ivon Sotir, vajza e Kristaq Sotirit, kujton se në ato vite, siç i tregonte babai, në studion e tij vinin shumë nxënëse të Liceut për të bërë fotografi. Mes tyre ka qenë dhe Sabiha Kasimati. Sesi është ruajtur fotoja e saj pas kaq vitesh, Ivon e ka një shpjegim. “Nuk ka ardhur njeri të shihte se çfarë kishte në ata negativë. Për këtë foto nuk di të ketë patur dijeni njeri tjetër përveç familjarëve për ekzistencën e kësaj fotoje. Ndoshta për disa foto të tjera që dihej se i kishte im atë kanë patur probleme, por jo për të Sabihasë”, – thotë Ivon. Mbesa e fotografit, Kristina Pecani (vajza e djalit) thotë se amaneti që gjyshi i kish lënë të atit të saj ishte “të kujdesej dhe të mirëmbante fototekën”. “Ne arkivin e kemi mbajtur gjithmonë nën shkallët e shtëpisë dhe nuk e di nëse atë kohë e dinin se mes atyre negativëve prej xhami ishte dhe fotoja e Sabiha Kasimatit. Besoj se këto janë identifikuar më vonë. Megjithatë nuk është se e di me hollësi ngjarjen”, – pohon Kristina. Mes fotove të ekspozitës që u çel në Korçë ndodhej dhe një foto e djemve të Liceut Francez. I pari që shquhej menjëherë nga vizitorët e ekspozitës mes atij grupi djemsh të veshur sipas modës dhe me flokët me brilantinë ishte Enver Hoxha. Më të vjetrit përpiqen të identifikojnë të tjerët, por duket e vështirë. “Shumë prej portreteve në foto nuk janë identifikuar dhe do të ishte shumë bukur nëse pasardhësit arrijnë të identifikojnë në këto foto paraardhësit e tyre”, – thotë Aranita Brahaj e Institutit Shqiptarë të Shkencave (AIS), e cila ka ideuar projektin e inventarizimit të Fototekës “Sotir”.
Fotografitë e Sotirit janë bardh e zi, monokolor, sepia, të kuqe, të gjelbra etj. Kjo fototekë ka sot rreth 1500 fotografi origjinale, të stampuara nga negativat, që janë ruajtur falë përkushtimit të familjarëve në gjendje shumë të mirë. Fotot janë portrete njerëzish të shquar të epokës, njerëz të thjeshtë, të cilët donin të ruanin në kohë jetën e tyre, apo lypës të cilët paguheshin prej tij për të dalë në fotografi. Por Sotir nuk ka qenë vetëm fotograf i portreteve por dhe i peizazhit; rrugët karakteristike të Korçës, natyra e bukur e Voskopojës, Dardhës dhe Pogradecit ishin puna e tij jashtë studios.
 Mes portreteve të njerëzve të shquar dallon ajo e dishepullit të fundit të Nolit, shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit, Andon Frashërit me bashkëshorten e tij, Maria. Si mik i Fan Nolit, në vitin 1945 mori guximin t’i shkruante atij se, nëse kthehej në Shqipëri, rrezikonte jetën nga regjimi komunist. Thuhet se kjo shërbeu si shkak që të pushohej fillimisht nga puna dhe më pas arrestohej bashkë me bashkëshorten e tij, Maria Avrami. Frashëri u dënua me 15 vjet burg dhe bashkëshortja me dy vjet. Ka shumë për të zbuluar nga Fototeka “Sotir”, nëse ajo do ruhet dhe mirëmbajtur. Familjarët kërkojnë vëmendjen e Ministrisë së Kulturës për të nxjerrë nga musëndra koleksionin e fotove Sotir. “Ne kërkojmë një vend me kushte më të mira për t’i mirëmbajtur këto foto. Ne si familje i ruajtëm për gati 100 vjet. Ja, do mundohemi t’i ruajmë dhe për 100 vjet të tjera, por çfarë do të ndodhë më pas me to? Disa negativë kanë nevojë për restaurim pasi janë thyer ose janë zverdhur, duke e humbur kështu cilësinë”, – shpreh shqetësimin e familjes mbesa Kristina. Sipas saj, vlerat e kësaj fototeke janë po aq të rëndësishme sa edhe të fototekës “Marubi”, ndaj kërkon që vëmendja për ta konservuar këtë trashëgimi mos të mungojë.
Kush ishte Kristaq Sotir
Lindi në fshatin Mborje të Korçës më 25 shkurt 1883 dhe vdiq më 14 korrik 1970 në Korçë. Që në moshë të re filloi të marrë mësimet e para të fotografisë te kunati i tij, Kristo Sulidhi, i cili ishte fotograf dhe patriot. Rreth vitit 1900 emigroi në SHBA, ku në fillim punoi në një fabrikë tekstilesh në New York për 2-3 vjet, por pasioni për fotografinë e bëri që shpejt të hiqte dorë nga kjo punë lodhëse dhe e çoi në Los Angeles, në Kaliforni, ku u paraqit tek fotografi dhe mjeshtri i fotografisë, George Steckel. Steckel i pa punën, e vështroi dhe pa keqardhje e ktheu mbrapsht, pasi puna e tij nuk ishte në nivelin e duhur. Ky zhgënjim nuk e zmbrapsi Sotirin. Pas pak kohe ai u paraqit prapë para Steckel-it dyshues duke i treguar punën e tij. Steckel i vështroi pa folur as edhe një fjalë. Ngriti kokën dhe tha: “Tani po”. Kështu filloi një bashkëpunim që do të zgjaste për mbi 10 vjet.
Në vitin 1921 u shkëput nga kjo studio për të hapur në New York studion e tij private. Por fati kishte të tjera planë për të. Një vit më vonë, një letër e njoftonte për gjendjen e rëndë të nënës së tij dhe ai u detyrua të kthehej në Shqipëri. Në vitin 1923 hapi Studion e tij “Sotir”, e cila shumë shpejt u bë e njohur në gjithë Korçën. Ai punoi atje deri në vitin 1963, vit në të cilin e mbylli. Më 1992-in i jepet titulli “Artist i Popullit” (pas vdekjes) si një ndër të parët shqiptarë që kultivoi profesionin e fotografit duke e kthyer atë në art.Për mjeshtërinë artistike është vlerësuar nga bashkëkohës, si Odhise Paskali, Vangjush Mio etj.
Inventarizimi i Fototekës
Projekti “Inventarizimi i Fototekës Private ‘Sotir’ në Korçë” u ideua nga Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS), i cili bëri përpjekjet për ngritje fondi dhe thirrjes iu përgjigj një grup pasardhësish të familjeve të nderuara shqiptare në emigracion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. QKIP mundëson ruajtjen, evidentimin, regjistrimin dhe promovimin e kësaj pasurie të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Imazhet e negativëve fotografikë të kësaj pasurie janë dëshmi e qytetarisë, traditës, qytetërimit dhe modelit të familjes dhe shoqërisë së trevës së Korçës në fillimshekullin XX. Tashmë kjo pasuri është e dokumentuar në sistemin dixhital me të dhënat identifikuese fizike dhe teknike që mundësojnë studimin dhe promovimin. Fototeka “Sotir” në Korçë ka gjithsej 14 mijë negativë në xham, aparate fotografikë, orendi me vlera historike dhe muzeale që lidhen me personazhet e fotografuar nga Kristaq Sotir, regjistra me emra qytetarësh korçarë dhe të huaj etj. Ruhet dhe një fond me foto të stampuara nga vetë fotografi artist ndër vite, të ndara në zhanre të veçanta sipas tematikës.

(Mapo)



Tuesday, April 29, 2014

Dossier : Trocki; Une deshmimtar i masakrave serbe ndaj shqiptareve

Marrë nga “Kievskaja Misl”, nr. 355, 23 dhjetor 1912..... Trocki:
Unë,dëshmitari i masakrave serbe ndaj shqiptarëve në Shkup!.....I njohur edhe si bashkëpunëtor në disa gazeta të rëndësishme të kësaj kohe, dhjetori i vitit 1912 e gjen atë si të dërguar special të gazetës ruse “Kievskaja Misl” në Shkup dhe rrethinat e tij për të bërë një reportazh lufte. Por, i gjendur në mes të një masakre të organizuar të serbëve ndaj popullsisë shqiptare, ai nuk ngurron te shkruajë me tone akuzuese për atë që pa me sytë e tij.





Leon Trocki

Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi, ta vizitoj Shkupin, disa ditë pas betejës së Kumanovës. Qysh në fillim u irritova nga autoritetet e Beogradit lidhur me lejen për qarkullim. Për shkak të pengesave që më bëri Ministria e Luftës, fillova të mendoj se njerëzit që e udhëhiqnin luftën nuk e kishin ndërgjegjen të pastër dhe se atje poshtë, ata po kryenin veprime krejt ndryshe nga sa paraqitej në shtypin zyrtar. Kjo përshtypje ose parandjenjë mu përforcua pas takimit me një oficer, i cili kishte qenë në Shkup me ushtarët e Shtabit të Përgjithshëm.
Oficeri, të cilin e kisha njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm. Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, me një qëndrim të hapur armiqësor më tha se nuk duhet të shkoja dhe se nuk e kuptonte se pse Beogradi po vepronte në këtë mënyrë, sipas tij, duke i lejuar “të huajt” të shkonin në Shkup. Në Vranjë, në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ndryshoja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatitë për pamjet që do të shikoja kur të arrija në Shkup. “Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme”, më tha ai. Kjo, më duhet ta pranoj, se më bëri edhe më shumë të dyshoja. Kjo do të thotë se veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme, nuk ishin raste të veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si “nevoja të shtetit”. Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria apo qeveria? Përgjigjen për këto pyetje e mora sapo arrita në Shkup. Trishtimi im filloi porsa e kaluam kufirin. Në orën 5 pasdite iu afruam Kumanovës. Dielli po perëndonte dhe errësira tashmë kishte fituar terren. Sa më shumë errësohej, aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha. Ishte ky shembulli i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese që pashë në zonat e luftimeve. Në një çast, pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, po kthehej në flakë. Kjo monotoni zjarri na përcolli gjatë gjithë rrugës deri në Shkup.

Masakra serbe

Zbrita nga vagoni me të cilin udhëtova. Tërë qyteti ishte i heshtur, në rrugë nuk shihje njeri të gjallë, vetëm para stacionit të trenit ishte një grup ushtarësh, prej të cilëve mbërrinin zëra të dehurish. Secili shkoi në rrugën e vet, ndërsa unë mbeta i vetmuar në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat në gjendje gatishmërie. Në mesin e grupit të ushtarëve qëndronin dy të rinj shqiptarë, me takije të bardhë. Një ushtar, çetnik i dehur, mbante në dorë thikën, ndërsa në dorën tjetër shishen e rakisë. Çetniku i urdhëroi shqiptarët të shtriheshin për tokë. Ata, gjysmë të vdekur nga frika, u ulën në gjunjë. Pas urdhrit tjetër, ata u ngritën. Këtë ai e përsëriti disa herë….
Pastaj çetniku, duke sharë dhe duke kërcënuar, u drejtoi majën e thikës edhe viktimave të tjera. I detyroi të pinë raki, pastaj… i puthi. I dehur nga forca, rakia dhe gjaku, ai argëtohej duke luajtur me ta ashtu si macja e egërsuar me minjtë. Të njëjtat veprime, e njëjta psikologji. Të tre ushtarët e tjerë, edhe ata të dehur, qëndronin duke ruajtur se mos shqiptarët po iknin ose do kundërshtonin, derisa çetniku të argëtohej. “Këta janë arnautë”, më thotë një ushtar, “tash do t’ i ther”. Prej frikës u largova nga grupi. Nuk kishte kuptim të mundohesha për të mbrojtur shqiptarët. Ata mund të shpëtonin nga këta ushtarë vetëm nga një forcë tjetër e armatosur. E gjithë skena luhej në stacionin e trenit. Sapo mbërriti treni tjetër, ika për të mos dëgjuar britmat e tmerrshme dhe thirrjet e shqiptarëve për ndihmë…
Në rrugët e qytetit dhe në vetë qytetin ishte aq qetësi, sa dukej sikur ishte i shkretë. Të gjitha dyert ishin mbyllur qysh nga ora gjashtë pasdite. Me të rënë nata, çetnikët fillonin punët e tyre. Futeshin dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve, duke vrarë e plaçkitur. Shkupi kishte 60 mijë banorë, gjysma e të cilëve ishin shqiptarë e turq. Disa nga ata sigurisht që kishin ikur, por shumica kishte mbetur. Tashmë, gjatë natës kundër tyre kryheshin krime. Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë që me të cilën përballesha në mëngjes ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit. Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët, të tjerët thoshin se ata i kishte sjellë uji i lumit. Vetëm një gjë dihej: ata njerëz nuk ishin vrarë në luftime…
Shkupi ishte kthyer në një kamp të rëndomtë ushtarak. Popullata, sidomos shqiptarët dhe myslimanët fshiheshin nëpër rrugë për të mos u parë nga ushtarët serbë. Në mesin e masës së ushtarëve dallohen edhe fshatarë serbë, të cilët kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme të Serbisë. Duke u justifikuar se kanë ardhur për të gjetur bijtë dhe vëllezërit e tyre, ata kalojnë nëpër Kosovë duke plaçkitur. Bisedova me tre prej atyre “torbaxhinjve”. Më i riu, një burrë i shkurtër, i sojit të “trimave”, lavdërohej sesi me pushkën e tij kishte vrarë dy shqiptarë, ndërkohë që dy të tjerë i kishin ikur. Bashkudhëtarët e tij, fshatarë të moshuar, e vërtetonin rrëfimin e tij.
“Një gjë nuk është e mirë”, ankoheshin ata. “Nuk kemi para me vete. Këtu mund të marrësh sa të duash qe dhe kuaj. Paga e ushtarit është dy dinarë (75 kopekë). Ushtari shkon në fshatin e parë të shqiptarëve dhe e merr kalin e parë që gjen. Përmes ushtarëve mund të marrësh një pendë qe për 20 dinarë. Serbët nga rrethina e Vrajës, në mënyrë masive janë nisur drejt fshatrave shqiptare me qëllim për të rrëmbyer gjithçka që gjejnë. Gratë serbe kanë ngarkuar në shpinë edhe dyer e dritare të cilat i kanë marrë nëpër fshatrat shqiptare.
Ndërkohë erdhën dy ushtarë. Ata bëjnë pjesë në çetat, të cilat çarmatosin shqiptarët. Një ushtar pyet ku mund ta këmbejë një lirë. Kërkova të ma tregojë lirën, meqë nuk kisha parë monedhë turke. Ushtari fillimisht shikon anash, pastaj e nxjerr floririn nga qesja, duke rrëfyer se ka edhe të tjera, por nuk dëshiron të rrëfejë sasinë. Një lirë turke këmbehet me 23 franga. Erdhën edhe ushtarë të tjerë. Po dëgjoja bisedat e tyre. “Nuk e di sa shqiptarë kam vrarë”, thotë njëri, “por te asnjëri prej tyre nuk kam gjetur diçka të vlefshme për ta marrë. Dhe, kur ia kam hequr kokën një nuseje të re, te ajo kam gjetur 10 lira”. Për bëmat e tyre, ata flasin krejt lirshëm. Kjo është e zakonshme për ta. Njerëzit nuk e kuptojnë se sa ndryshime të brendshme kanë sjellë vetëm disa ditë të luftës. Mund të shihet se deri në çfarë niveli shkon njeriu nga rrethanat. Në kushte të organizmit barbar të luftës, njerëzit shpejt brutalizohen dhe këtë ndoshta edhe nuk e kuptojnë. Një tog ushtarësh po marshonte rrugës kryesore të Shkupit. Një i dehur, sipas të gjitha gjasave, një turk i marrë, filloi t’i mallkonte. Ushtarët ndaluan. E mbështetën turkun tek muri më i afërt dhe e pushkatuan në vend. Toga vazhdoi tutje, ashtu sikur edhe popullata që ishte në rrugë.
Biseda me oficerin që e njihja
Në mbrëmje, në një pijetore, takova një oficer, të cilin e njihja. Njësia e tij kishte qenë e stacionuar në Ferizaj, në qendrën e shqiptarëve, “Serbia e vjetër”. Me njerëzit e tij, rreshteri kishte tërhequr një top të madh të rrezikshëm, gjatë marshimit nga Koçani deri në Shkup. Topi do t’i dërgohej ushtrisë, e cila kishte rrethuar Edrenenë
- Çfarë detyrash keni tani në Ferizaj mes shqiptarëve? – e pyes.
“Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë”,- thotë,- duke bërë grimasa dhe duke hapur gojën nga lodhja. Pastaj vazhdon: “Ka shumë njerëz të pasur mes tyre. Afër Ferizajt kemi hyrë në një fshat të pasur, me shtëpi si kështjella. Pronari ishte një njeri i pasur, i cili kishte tre bij. Ishin katër meshkuj dhe shumë gra. Të gjithë i kemi nxjerrë nga shtëpia, i kemi radhitur gratë dhe para syve të tyre u kemi therur burrat. Gratë nuk qanin nga frika. Na u lutën t’i lejonim të futeshin në shtëpi dhe të merrnin rrobat e tyre. I lejuam. Ato pastaj na dhanë nga një dhuratë. Pastaj i vumë zjarrin tërë vendit…”
- Si mund të veproni në mënyrë kaq brutale?,- e pyes i tmerruar nga rrëfimi i tij.
“Nuk e di as vetë, mësohet njeriu. Në një kohë tjetër, nuk do të kisha qenë në gjendje ta vrisja një plak apo një fëmijë të pafajshëm. Në kohë lufte, sikundër e dini, komandanti urdhëron dhe ju duhet ta zbatoni urdhrin. Shumë gjëra si këto kanë ndodhur. Gjatë bartjes së atij topi deri në Shkup, gjatë rrugës takuam një qerre, në të cilën ishin shtrirë katër burra të mbuluar deri në brez. Menjëherë nuhata erën e jodit. Diçka ishte e dyshimtë, mendova. Ndalova qerren dhe i pyeta kush ishin dhe ku shkonin. Heshtnin, duke u justifikuar se nuk dinin serbisht. Me ta ishte vetëm qerrexhiu, një rom, i cili na tregoi se katër të plagosurit kishin marrë pjesë në luftime në Merdar. Ishin plagosur dhe tani po ktheheshin nëpër shtëpi. E kuptova se kush ishin. -Zbritni!,- urdhërova.
E kuptuan çfarë po u thosha, por hezitonin. Ç’të bësh? Vendosa bajonetën në pushkë dhe i thera të katërt…
E kisha njohur këtë njeri. Kishte qenë kamerier në Kragujevc. Njeri pa ndonjë kualitet. Jo luftarak nga natyra, kamerier, ashtu sikur të gjithë kamerierët në vendet e tjera. Një kohë ishte edhe në Sindikatën e Kamerierëve. Ishte madje edhe sekretar, por u largua… Dhe shikoni tani se në çfarë është kthyer!”
- Përse veproni si banditë, po vrisni dhe po plaçkitni, pa bërë asnjë dallim!,- bërtita, duke ndier një neveri për njeriun me të cilin kisha biseduar.
Eprori u gjend në një situatë të vështirë. U duk sikur diçka i kishte rënë ndërmend. Pastaj duke u munduar ta justifikonte veten, i bindur dhe serioz, shqiptoi një frazë, e cila kishte edhe më shumë të zeza sesa kisha parë dhe dëgjuar.
“Jo. Nuk është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, i përfillim në mënyrë rigoroze rregullat, asnjëherë nuk vrasim njeri më të ri se 12 vjeç. Për çetnikët nuk të them asgjë me siguri. Ata janë kokë më vete. Unë mund të siguroj për ushtarët”.
Rreshteri nuk siguronte për çetnikët. Dhe me të vërtetë, ata nuk pranonin asnjë kufizim. Të rekrutuar nga mesi i të papunëve, të paaftëve, elementë të ligj dhe të pavlerë, nga turma më e ulët, argëtoheshin me egërsinë e tyre me krimet, plaçkitjet dhe dhunën. Veprat dëshmonin shumë kundër tyre. Edhe ushtria e shteti ndiheshin jo mirë nga banalitete të tilla të përgjakshme të çetave të degjeneruara. Ata u detyruan të marrin masa dhe ende pa mbaruar lufta, i çarmatosën dhe i kthyen nëpër shtëpitë e tyre.

Kthimi

Nuk isha në gjendje ta duroja edhe më tej atë atmosferë, nuk kisha stomak për ta duruar. Interesi politik dhe vetëdija morale, për të parë me sy se si bëhen gjërat e tilla, u fundosën. Tashmë kisha vetëm një dëshirë: Të kthehesha sa më parë. Sërish u gjeta në tren. Po shikoja fushat e gjera rreth Shkupit. Çfarë bukurie, çfarë gjerësie! Njerëzit mund të jetonin mirë këtu. Çfarë dobie ka të flas kur ju vetë i dini këto ide, porse ato në atë vend më tingëllonin dhjetë herë më fort. Pesëmbëdhjetë minuta nga nisja e trenit, hodha vështrimin jashtë dhe pashë në një largësi prej 200 jardësh nga stacioni një kufomë me takije në kokë, me fytyrë përdhe dhe duar të shtrira. Rreth 50 jardë nga hekurudha po qëndronin dy roje serbe, pjesë e forcave që po ruanin hekurudhën. Me siguri kjo ishte vepër e tyre. Tutje, tutje, vetëm të largohem sa më parë nga ky vend.
Jo larg nga Kumanova, në një livadh, afër hekurudhës, ushtarët po hapnin një gropë të madhe. I pyes se për çfarë po hapej ajo gropë. Më thanë se gropa po hapet për mish të prishur, që ndodhej në dhjetë apo 15 kamionë, të cilët ishin parkuar anës rrugës. Ushtarët nuk e kishin marrë mishin që u kishte takuar. Krejt nevojat e tyre ushqimore, madje edhe më shumë se u nevojiteshin, ata i merrnin nga shtëpitë e shqiptarëve: djathë, qumësht, mjaltë. “Në atë kohë hëngra më shumë mjaltë, që ua merrnim shqiptarëve, sesa kisha ngrënë gjatë tërë jetës sime”, më thotë një ushtar. Për çdo ditë, ushtarët serbë thernin qe, dele, derra, pula, të cilat i hanin duke i hedhur mbetjet tej. “Neve nuk na duhet mishi. Sa e sa herë u kemi shkruar atyre në Beograd të mos na dërgojnë mish, por ata e bëjnë këtë sipas disa rregullave”. Kështu qëndrojnë gjërat kur shikohen nga afër. Mishi po prishet, si mishi i njerëzve, ashtu edhe i kafshëve, fshatrat janë bërë shkrumb e hi, njerëzit po dëbohen, “njerëzit mbi 12 vjet”… të gjithë janë barbarizuar, duke humbur fytyrën e tyre njerëzore…
Lufta po del në sipërfaqe si kryesorja dhe më e rëndësishmja, do t’i shihni krimet nëse shpalosni pak perden, e cila rri varur para veprave të “trimërisë” së ushtarëve…