Wednesday, April 23, 2014

“Viti i Lorkës” dhe qetësia e poetvrasësve shqiptarë

Roland BEQIRAJ

Në qershorin e vitit të kaluar u mbushën 110 vjet nga lindja e Frederiko Garcia Lorkës, poeti që është kthyer jo vetëm simboli i Spanjës, por edhe ndërgjegjja e vrarë e këtij kombi. Poeti u ekzekutua në Granada, në vendlindjen e tij dhe eshtrat e poetit nuk janë gjetur ende.
Vetëm disa kohë më parë mbesa e poetit u ka bërë thirrje strukturave të shtetit spanjoll që të bëjnë të pamundurën për gjetjen e eshtrave të poetit, vetëm për faktin që ai ë ketë një varr. Për vdekjen e poetit, është akuzuar ish deputeti i kohës së diktaturës frankiste Ruis Alonso, ku nga studiuesit është gjetur si shkak vetëm smira dhe xhelozia e tij e tejskajshme që kishte për krijimtarinë e Lorkës. Me rastin e jubileut të lindjes Mbreti i Spanjës e ka quajtur gjithë këtë vit si “Viti i Lorkës”. Edhe pse kanë kaluar pak më tepër se 70 vjet nga pushkatimi i Lorkës, ndërgjegjja e Spanjës ende nuk mund të gjejë qetësi.
E kundërta duket se po ndodh në vendin tonë. Nuk janë mbushur dy dekada dhe krimet e komunizmit janë kredhur në errësirën e skutave më të ndyra të politikës shqiptare. Është krijuar përshtypja se koha “e keqe “ ka kaluar dhe ajo duhet ti lihet harresës.
Gjatë këtyre viteve “Pushteti i Ri” është mjaftuar vetëm me dhënien e disa dekoratave dhe ndonjë busti të vendosur aty-këtu nëpër qytetet, kryesisht vendlindjeve të të pushkatuarve. Dhe të thuash se kaq është e mjaftueshme, duke pasur parasysh krimet e kryera në një periudhë pesëdhjetë vjeçare, si dhe mizorinë e barbarinë se si janë kryer këto vrasje, tingëllon fyese për pjesën më të shëndoshë të shoqërisë.
Tranzicioni në vendin tonë ka nxjerrë gjithashtu në sipërfaqe një ndjenjë aspak miqësore që administrata e dalë nga zgjedhjet pluraliste ka ndaj kësaj shtrese. Askush nuk mund të pohojë të kundërtën; se sistemi i ri është treguar dashamirës ndaj intelektualëve që thuajse gjithë jetën e kaloi në burgjet e regjimit komunist. Dhe ky qëndrim mospërfillës ndaj kësaj shtrese ndodh pikërisht se politika shqiptare nuk është pastruar thuajse fare nga ish nomenklatura komuniste, madje një pjesë dërrmuese e saj është në strukturat më të larta të shtetit. Si argument mjafton të përmendet një fakt; vëzhgoni se çfarë është bërë kohët e fundit! Një pjesë e shërbëtorëve më të devotshëm të diktaturës janë propozuar për tu dekoruar nga presidenti i Republikës me dekorata nga më të ndryshmet. Disa prej tyre i kanë marrë. A nuk ndodhi kështu me prokurorin që ka dhënë dënimin me vdekje për Xhelal Koprënckën dhe dy gazetarët, Vangjel Lesho dhe Fadil Kokomani si dhe ka dhënë dënime të rënda për publicistin Fatos Lubonja dhe përkthyesin dhe studiuesin Robert Vullkani? Dhe si mund të mos reagonte e mbesa e Xhelal Koprënckës që iu drejtuar Presidentit Topi duke i thënë se dekorata i takonte ose familjes së saj ose familjes së Prokurorit që e dënoi Koprënckën. Ku janë sot ata që varën Isuf Nelajn, Vilson Blloshmin, Genc Lekën…?
Dhe këto paradokse ndodhin pikërisht në një vend që nuk është ndarë nga e kaluara. Por ndarja nuk është një proces fiziologjik që kryet shpejt e shpejt, ai është mentalitet i një kombi të civilizuar. Askush nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera nga regjimi diktatorial dhe në horizont nuk duket asnjë shenjë se kjo falje do të ndodhë. Falje nuk kanë kërkuar as ata që u kanë përgatitur pretencat letrare kolegëve të tyre poetë. Shihini ku i gjeni poetvrasësit; gjenden kudo nga të kthesh kokën, në parlament, në gjykata, në prokurori nëpër katedra dhe nënqeshin si smirëzinj kur familjarët e ngratë kërkojnë varret e të afërmve të tyre.

 Dhe për të gjitha këto që ndodhin, fajtorët kryesorë jemi ne, pjesa e kombit që rrimë indiferent dhe nuk jemi mësuar të na vrasë ndërgjegjja dhe të kërkojmë llogari për ato që kanë ndodhur. 

0 comments:

Post a Comment