Ernest Heminguej : 47 variante per mbylljen e romanit " Lamtumire Arme":
Zbulohen 47 variantet
që shkrimtari kishte shkruar si mbyllje të romanit të tij të njohur “Lamtumirë
armë”, kushtuar Luftës së Dytë Botërore. Dorëshkrimet do të dalin në Amerikë së
bashku me një ribotim të këtij romani. Lexuesi do të ketë mundësinë të shohë
korrigjimet, fjalët e shtuara apo të fshira nga vetë Heminguej.
Ndoshta njerëzit nuk mund ta besojnë, por Ernest Heminguej ishte i mbushur me
dyshime. Ndoshta nuk kishte dyshime mi gratë, mbi madhësinë e peshqve që
peshkonte apo mbi kuptimin e heroizmit. Por ama ishte i mbushur plot dyshime
sesi do ta mbyllte kryeveprën e tij “Lamtumirë armë”. Një roman i tërë kushtuar
Luftës së parw Botërore, i njohur gjerësisht edhe nga lexuesit shqiptarë. E
rishkroi 39 herë pa gjeti karar. E ka rrëfyer vetë këtë fakt në një intervistë
të dhënë në vitin 1958. Por nuk e mbylli me kaq, sepse janë plot 47 variante që
vetë Heminguej mendoi t’i jepte si finale këtij romani. Shumë e kanë cilësuar
simbolikisht si “ofiçina” e “Lamtumirë armë”. Të gjitha variantet do të bëhen
të njohura nga lexuesi përmes një botimi që është parashikuar për Amerikën nga
shtëpia botuese e autorit “Simon & Schuster”, në një variant të ribotuar të
romanit. Hap pas hapi ky variant i ri do t’u shkojë lexuesve në të gjithë
botën. “Lamtumirë armë”, në variantin e tij të botuar në vitin 1929, mbyllet
ftohtësisht, menjëherë pas vdekjes së Katerinës: “Pas pak, e braktisa spitalin
dhe nën shi u ktheva në hotel”. Por kjo nuk ishte finalja më e trishtë dhe më
pesimiste që Heminguej kishte menduar për romanin e tij. “New York Times” para
disa ditësh publikoi disa nga 47 mbylljet që shkrimtari kishte hedhur në letër
për këtë libër. Në disa raste bëhet fjalë vetëm për një rresht, në disa të
tjera për paragrafë të tërë. Nga një dyshim te tjetri, në të shumtën e rasteve
shkrimtari ka shkuar në përfundime përmes të cilave donte të jepte një
mesazh universal, në mënyrë të shkurtër e të thatë, siç ishte në stilin e tij.
Më në fund, zgjodhi skenën e protagonistit që ikën nën shi, zhveshur nga
komentet e shumta. Në finalen që e ka cilësuar si numër 1, titulluar “Nada”,
Heminguej ka menduar ta mbyllë kështu: “Kjo është gjithçka nga kjo histori.
Katerina vdiq, ju do të vdisni dhe unë do të vdes. Kjo është gjithçka që mund
t’ju premtoj”. Mbyllja e titulluar “Live-Baby”, që mban edhe numrin rendor 7,
është tepër përjashtuese: “Nuk ka fund përveçse vdekjes dhe lindja është vetëm
fillimi”. Më e artikuluar është finalja “Fitzgerald”, që shkrimtarit iu
sugjerua nga miku i tij Francis Scott Fitzgerald. Këtu shkrimtari shkruan se:
“Bota shkatërron gjithçka, ata që nuk i shkatërron i vret. […] Vret të mirët,
mitet, guximtarët pa bërë asnjë dallim. Edhe nëse nuk je mes tyre, të jesh i
sigurt se do të vrasë edhe ty, vetëm se nuk do të ketë asnjë nxitim ta bëjë
këtë”. Në intervistën e vitit 1958 në “Paris Review”, Heminguej tregon se i
shkroi dhe i rishkroi rreshtat e fundit me qëllimin e vetëm “për të gjetur
fjalët e duhura. Mund të ketë qenë edhe kështu, por një fjalë e zgjedhur në
vend të një tjetre në mbylljen e një romani për dashurinë e luftën, vendosin
korniza të ndryshme rreth më shumë se 300 faqeve. Botimi i ri bazohet në
materiale të nxjerra nga “Koleksioni Ernest Heminguej” të ruajtura në librarinë
dhe muzeun presidencial John F. Kennedy në Boston. Një stërnip i shkrimtarit, Shon
Heminguej i ka studiuar gjatë këto materiale dhe në fund gjeti 47 variante, në
të cilat janë të dallueshme qartë korrigjimet, ndreqjet, shënimet. Të botuara
në formën e dorëshkrimeve, këto variante do t’i japin mundësinë lexuesit
të kuptojë se si punonte një shkrimtar i asaj kohe, i cili nuk qëndronte
para kompjuterit e t’i jepte “cancel” çdo gjëje që nuk i shkon për shtat
romanit. Kjo mënyrë e re, konsideruar komode, fshin çdo gjurmë të laboratorit
krijues të një shkrimtari. Patrik Heminguej, i vetmi djalë ende i gjallë i
Heminguejit, ka theksuar se ka dhënë të drejtën e botimit të këtyre materialeve
në dorëshkrim, sepse “jep mundësinë e një vështrimi nga afër në mendimet e tim
eti. Por është edhe e vërtetë se sado që ta studiosh një klasik (të letërsisë),
nuk mund të kuptohet asnjëherë se nga çfarë lind talenti”. Në botimin që do të
dalë në Amerikë, do të sillen edhe disa tituj alternativë që vetë shkrimtari
kishte menduar për këtë roman: “Love in war” (Dashuri në luftë), “Of Wounds and
Other Causes” (Plagë dhe çështje të tjera), “Every Night and All” (Çdo natë dhe
të gjitha). Bashkë me lajmin e këtij botimi, në shtyp komentohet edhe mbi
faktin që ndoshta kjo është një mënyrë për të risjellë imazhin e Baba
Heminguejit, që me kalimin e viteve rrëshqiti në atë të një antifeministi dhe
një të alkoolizuari. Ky botim do të kthejë vëmendjen e lexuesve të vepra e tij.
Duket se ky veprim ka nxitur dëshirën e botuesve për të përfshirë të tilla
materiale të shkrimtarëve të ndryshëm në ribotime të ardhshme.
0 comments:
Post a Comment