Abdullah Gyl
Turqia, kohët e fundit ka qenë në ballë të debateve
ndërkombëtare-ekonomike dhe politike. Në njërën anë, pavarësisht krizës
ekonomike që ka përfshirë Europën fqinje, Turqia mbetet ekonomia me rritje më
të shpejtë në botë, pas Kinës. Në anën tjetër, nuk ka pothuajse asnjë çështje
në axhendën globale-Iraku, Afganistani, Somalia, Irani, Pranvera Arabe-në të
cilën Turqia nuk luan një rol të dukshëm. Ky është një fenomen mjaft i ri. Deri
para një dekade Turqia është konsideruar si jo më shumë se një aleat i patundur
i NATO-s. Kjo ka nisur të ndryshojë në vitin 2002, kur ka aguar era e
stabilitetit politik, duke i dhënë jetë vizionit për një Turqi më të fortë. Për
këtë qëllim, qeveritë e Turqisë nga viti 2002 kanë zbatuar reforma të guximshme
ekonomike, që i kanë shtruar rrugën rritjes së qëndrueshme dhe kanë siguruar
barriera kundër krizës financiare që ka goditur më 2008. Si rezultat, në
më pak se një dekadë, bruto prodhimi vendor është trefishuar, duke e bërë
Turqinë ekonominë e 16-të në botë. Për më tepër, vendi përfiton nga financat e
forta publike, politika e kujdesshme monetare, dinamika e qëndrueshme e
borxhit, sistemi i shëndoshë bankar dhe funksionimi i mirë i tregjeve
kreditore. Në të njëjtën kohë, ne kemi zgjeruar fushën e të drejtave
individuale, e cila u nënshtrohej shqetësimeve të sigurisë. Kemi zbutur
marrëdhëniet civile-ushtarake, kemi garantuar të drejta sociale dhe kulturore
dhe kemi ndjekur problemet e pakicave etnike dhe fetare.
Këto reforma e kanë transformuar Turqinë në një demokraci më të gjallë
dhe në një shoqëri më të qëndrueshme-në paqe me vetveten dhe në gjendje për të
parë ambientin e saj të jashtëm me tjetër sy. Thjesht, kemi ndaluar të shohim
gjeografinë dhe historinë tonë si mallkim apo dëm. Përkundrazi, lokacionin në
udhëkryq të Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, kemi nisur ta shohim si
mundësi për të bashkëvepruar njëkohësisht me lojtarë të shumtë.
Si rezultat, kemi nisur të arrijmë në vendet fqinje dhe më gjerë. Jemi
përpjekur të zgjerojmë dialogun politik, të rrisim varësinë e ndërsjellë
ekonomike dhe të forcojmë mirëkuptimet kulturore dhe sociale. Dhe, ndonëse
dhjetë vjet janë kohë e shkurtër për një vlerësim përfundimtar të politikës së
tillë ambicioze, ne, padyshim, kemi mbuluar terren të konsiderueshëm. Për
shembull, ne kemi katërfishuar vëllimin tonë të tregtisë vetëm me fqinjët. Në
disa raste, kemi qenë po ashtu të rëndësishëm në lehtësimin e paqes dhe të
pajtimit. Por, çfarë është më e rëndësishme, Turqia është bërë model i
suksesit, që shumë vende përreth e kërkojnë.
Megjithatë, deri para një ose dy viti, disa ekspertë politikë kanë
pyetur: “Kush e humbi Turqinë?” ose “Për ku është nisur Turqia?”- supozim se
Turqia kishte zhvendosur aksin e politikës së jashtme larg Perëndimit. Në fakt,
orientimi i jashtëm i Turqisë ka mbetur konstant, sepse ai mbështetet në vlerat
që ndajmë me botën e lirë. Ajo që ka ndryshuar është këmbëngulja jonë më e
madhe në përpjekjet për të siguruar stabilitet më të madh dhe mirëqenie
njerëzore në rajonin tonë-mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe përgjegjësi jo
vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Kjo qasje është reflektuar në
Pranverën Arabe, të cilën Turqia e ka mbështetur me entuziazëm nga fillimi. Nuk
kemi hezituar të anohemi kah ata që luftojnë për të drejtat dhe dinjitetin e
tyre. Në të vërtetë, për vendet si Tunizia, Egjipti, Libia dhe Jemeni, të cilat
tani përpiqen të institucionalizojnë ndryshimet, Turqia është partneri më
aktiv, duke ndarë përvojën dhe duke ofruar ndihmë konkrete në formën e
bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e kapaciteteve politike. Në Siri, në
anën tjetër, revolucioni nuk ka përfunduar ende, për shkak të shtypjes brutale
të regjimit ndaj kundërshtarëve të tij. Çdo ditë, atje vdesin njerëz në
ndjekje të dinjitetit. Turqia po bën gjithçka të mundur të lehtësojë vuajtjet e
njerëzve sirianë. Për fat të keq, komuniteti ndërkombëtar, si tërësi, deri më
tash ka vepruar dobët për të siguruar përgjigje efektive ndaj krizës. Pozicioni
i Turqisë në programin bërthamor të Iranit ka qenë i qartë: ne kundërshtojmë
kategorikisht praninë e armëve të shkatërrimit në masë në rajonin tonë.
Përpjekjet për krijimin e tyre mund të shkaktojnë garë armësh në rajon, çfarë
shpie në destabilizim të mëtejshëm dhe kërcënim të paqes dhe të sigurisë
ndërkombëtare.
Ne mbështesim të drejtën e Iranit për të përdorur energji bërthamore
për qëllime paqësore. Por programi i Iranit duhet të jetë transparent dhe
udhëheqësit e tij duhet të sigurojnë komunitetin ndërkombëtar për natyrën
jo-ushtarake të tij. Është thelbësore mbyllja e çarjes së besimit dhe hapja e
rrugës për dialog kuptimplotë. Në prill, ne kemi organizuar raundin inaugurues
të ringjalljes së bisedimeve ndërmjet komunitetit ndërkombëtar dhe Iranit.
Të jemi të qartë: nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem. Ndërhyrja
ushtarake mund ta ndërlikojë edhe më tej këtë çështje, duke krijuar shtresa të
reja të konfliktit në rajonin tonë dhe më gjerë. Në këtë dhe çështje të tjera,
Turqia përpiqet të veprojë si një “fuqi e virtytshme”, e cila kërkon të
rreshtojë interesat tonë kombëtarë me vlerat si: drejtësia, demokracia dhe
dinjiteti njerëzor, si dhe të arrijë qëllimet e politikës së jashtme përmes
bashkëpunimit të ndërsjellë dhe jo forcës. Multikulturalizmi efektiv është
aspekt kyç i këtij vizioni. Turqia ka shërbyer si anëtare e Këshillit të
Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në periudhën 2009-2010 dhe kërkon një tjetër
mandat më 2015-2016. Marrë parasysh rëndësinë thelbësore të zhvillimeve në
pjesën tonë të botës, kontributi i Turqisë në punën e Këshillit premton të jetë
shumë i vlefshëm. Për më tepër, në vitin 2015 ne do të marrim presidencën e
G20-ës dhe jemi të përkushtuar për të përdorur mjetet dhe aftësitë tona për ta
bërë atë një organ më efektiv të qeverisjes globale. Transformimi i brendshëm i
Turqisë gjatë dekadës së kaluar, e ka vendosur atë në një pozitë ideale, në
dobi të rajonit dhe, në këtë mënyrë, edhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndonëse
tashmë kemi arritur shumë, nga ne kërkohet edhe më shumë. Duke pasur parasysh
sfidat e fqinjësisë sonë dhe rolin kryesor të rajonit në çështjet globale,
Turqia nuk do të mëdyshet nga marrja e përgjegjësive të reja.
*President i Republikës së Turqisë/ Marrë nga Stradfor/ Përktheu Mimoza
Golikja
0 comments:
Post a Comment